-sidi education-spot_img
16.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Lufta po afrohet, fshati i pikturave nuk e ndal traditën

Kryesoret

Piktorët e Petrykivkas po vazhdojnë zanatin e tyre teksa raketat godasin Ukrainën lindore dhe koleksioni i artit historik të qytetit transportohet në vende më të sigurta.

Në muzeun e Petrykivkas në Ukrainën lindore, një dhomë është bosh.

Para nisjes së pushtimit të Rusisë më 24 shkurt, ndërtesa ruante thesare arti unike për rajonin, por tani kuratori i muzeut thotë se pikturat janë dërguar në një vend “sekret” për t’u ruajtur.

Petrykivka është vetëm disa orë udhëtim me makinë larg nga luftimet e vijës së parë në Ukrainë. Por, më 27 qershor, në të njëjtën ditë që Radio Evropa e Lirë vizitoi qytetin, të paktën 20 njerëz u vranë kur një raketë ruse prej 5.8 tonësh shkatërroi një qendër tregtare në Kremençuk, më pak se 100 kilometra larg. Të nesërmen, raketat goditën Dnipron, vetëm 40 kilometra larg nga Petrykivka.

Pikturimi Petrykivka është një formë e lashtë arti që dikur dekoronte muret e jashtme dhe ato të brendshme të shtëpive të fshatit ukrainas në rajonin rural rreth Dnipros. Arti me ngjyrë karamele fillimisht besohej se largonte shpirtrat e këqij dhe i siguronte një familjeje begati e dashuri.

Në vitin 2013, ky lloj arti u regjistrua në listën e UNESCO-s të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në botë.

Kjo formë pikturimi daton rreth 300 vjet më parë, por shembujt e hershëm të artit kanë humbur për shkak të përdorimit të materialeve që prishen. Para se të përdornin ngjyrë dhe llak, banorët e Petrykivkas përdornin ngjyra natyrale, duke përfshirë lëngjet e shtrydhura nga luledielli, panxhari, qershitë dhe bari. Një shtresë me shkëlqim u jepej nga sheqeri i zier.

Natalya Rybak
Natalya Rybak

Natalya Rybak është një nga piktoret mjeshtre më të njohura të Petrykivkas dhe dekoron sendet e shitura në të gjithë Ukrainën dhe jashtë saj. Rybak thotë se ajo “adhuron” profesionin e saj, duke shtuar: “Nëse puna juaj mund të sjellë gëzim për njerëzit e tjerë, atëherë pse jo?”.

Rybak thotë se janë kryesisht gratë ato që pikturojnë në Petrykivka, sepse “burrat duhet të bëjnë punë të rënda fizike që stresojnë trupin e tyre, ndërsa gratë mund të jenë të rregullta dhe precize me prekjet e penelit”.

Pas pushtimit rus në shkurt 2022, artistja thotë se ndaloi të pikturonte për tre muaj për shkak të ankthit, por e rifilloi së fundmi.

“Kam parë se më qetëson dhe më ndihmon ta largoj mendjen nga lufta”, thotë ajo.

Sipas artistes Rybak, të gjithë piktorët profesionistë në Petrykivka kanë brushat e tyre të bëra nga leshi i maces, i cili është më i butë dhe më elastik se fibrat e tjera dhe thelbësor për pikturat autentike Petrykivka. Macja duhet të jetë e një temperamenti “të relaksuar dhe të lumtur, tregon Rybak, dhe i jepet sallam ose ndonjë ushqim i preferuar pasi tufat e qimeve i priten nga maja e bishtit ose nga nënsqetulla.

Pikturat në Petrykivka janë të veçanta për zogjtë dhe lulet e tyre fantastike, të cilat shpesh janë versione të hiperbolizuara të realitetit. Shumë tipare të pikturave janë simbolike.

Një pikturë në një vatër në Muzeun Petrykivka.

Piktura më lart në vatër në muzeun Petrykivka tregon një histori dashurie, të familjes dhe besimit.

Parë nga fundi i figurës, manaferrat (secila e bërë me një prekje të vetme gishti) përfaqësojnë paraardhësit e vdekur. Më tej në veprën e artit, dy lule të kuqe simbolizojnë një burrë dhe një grua, ndërsa zogjtë si pula përfaqësojnë dashurinë e çiftit të martuar. Mbi zogjtë, farat në një bimë të ngjashme me lulediellin përfaqësojnë fëmijët, pastaj në krye të figurës, tri pika simbolizojnë Trininë e Shenjtë të Zotit.

Në periferi të Petrykivkas, artisti Mykola Deka në një shtëpi piktoreske që duket si një skenë nga filmi vizatimor klasik sovjetik i bazuar në një përrallë popullore ukrainase “Njëherë e një kohë aty jetonte një qen”.

Artisti e ruan të gjallë traditën e lashtë ukrainase të shtëpive të pikturuara me lule të varura dhe manaferra të varura në pronën e tij, në stilin e Petrykivkas.

Mykola Deka
Mykola Deka

Deka, i cili ka një bujtinë në tokën e tij, thotë se që nga shpërthimi i luftës vizitorët ndërkombëtarë janë ndalur plotësisht dhe vetëm turistët nga Dnipro aty pranë kanë rezervuar në pronën e tij.

Deka thotë se detyra e mundimshme për t’i mbajtur të freskëta pikturat me lule dhe fruta zbukuruese duke i rilyer ato çdo vit, është e rëndësishme “për të mbajtur gjallë traditat tona”.

Si Deka, ashtu edhe Natalya Rybak, thonë se synojnë të qëndrojnë në qytetin e tyre të famshëm, edhe pse mijëra ukrainas ikin në perëndim.

Kur u pyet për mundësinë e përparimit rus në Petrykivka, Rybak u zotua për Radion Evropa e Lirë se do të qëndronte në qytet dhe do të vazhdonte me artin e saj “pa marrë parasysh çfarë do të ndodhë”./REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit