Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të enjten u zhvillua debati për miratimin e dokumentit të njohur si “propozimi francez”, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.
Seanca me diskutime pritet të vazhdojë gjatë së premtes, pasi një numër i madh i deputetëve është paraqitur për fjalim.
Të dyja vendet, prej kohësh, kanë mospajtime për çështjen e gjuhës, identitetit dhe së kaluarës historike, që kanë bllokuar integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Franca ka dalë me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.
Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por jo edhe opozita, e cila, tash e dy javë gati, organizon protesta. Para ndërtesës së Kuvendit, edhe të enjten janë mbledhur protestues me flamuj e pankarta në duar.