Një 42-vjeçar shqiptar i cili njihet si një nga kokat e rrjetit të trafikut të kokainës në Itali, kryesisht në qytetin e Bolonjës është vetëdorëzuar në Polici.
llimisht ai ka shkuar në një zyrë avokatie ku është prezantuar me emrin e tij dhe se kërkohej nga drejtësia italiane: “Jam Mirjan Paja dhe jam në kërkim nga policia, më thonë ‘trafikant droge”.
Teksa është ulur para avokatit ai është shprehur se ka lexuar në media që po kërkohej nga policia: “E lexova emrin tim, më thonë se jam një prej tyre”.
Më pas Paja ka dalë nga studio e avokatisë dhe i është drejtuar karabinierëve në Bolonja. Sipas autoriteteve italian Mirjan Paja njihet si një nga figurat lider në botën e trafikut të drogës në Bolonja. Kështu ka rezultuar edhe nga hetimet që dolën pas zbardhjen së bisedave të përgjuara ndaj grupeve kriminale ku u vendosën në pranga 34 persona, nga 50 të dyshuar.
Paja është trafikant i nivelit të lartë dhe bënte pjesë në bandën e drejtuar nga Andrea Balboni, Mirko Mezzetti dhe Luca Giacomelli. 42-vjeçari shqiptari furnizonte me drogë grupet kriminale. Hetuesit përgjuan për gati një muaj bisedat e këtij grupi kriminal ku bëhej fjalë për shitjen e kilogramëve kokainë dhe marijuanë.
Emri i shqiptarit doli pas arrestimit të një prej furnitorëve mjaft të njohur të grupit. Edhe ai shqiptar, i identifikuar me emrin Adrian Shehi. Shehi punonte me dajën e tij, Altin Grifi.
Të dy ata drejtonin një lokal në via di Corticella dhe kishin pak kohë që kishin ndalur trafikun e drogës i pari për shkak të burgut, i dyti për të qetësuar ujërat. Por, vendin e tyre e kishin zënë dy shqiptarë të tjerë: Blendi Koci dhe Mirjan Paja, shkruajnë mediat italiane.
Sipas dosjes së prokurorisë emri i 42-vjeçarit shqiptar figuron në shumë raste të trafikut të drogës. E para daton në 10 korrik 2020, kur ai trafikoi një kilogram kokainë për Balbonin dhe Mezzettin.
Pastaj dy kilogramë të tjera në datën 17 dhe të tretën në datën 20 të të njëjtit muaj.
Kur Paja dhe Koci nuk po gjenin dot drogë, ata shkuan tek një tjetër shqiptar i quajtur Armando Doja, i cili i shiti Pajës më 30, 2020. Trafiku vazhdoi kështu sërish. Në dosjen e Prokurorisë është përfshirë edhe shitja e 3 kilogramë e gjysmë marijuanë.
Pas arrestimeve, prokuroria ka bërë të ditur përfundimin e hetimeve dhe tani pritet kërkesa për aktakuzë, pa përjashtuar që prokurori të vendosë për gjykim të menjëhershëm.
Provat kundër 50 të dyshuarve duket se janë të forta, pasi në dosje janë qindra përgjime, dhjetëra raportime për trafik droge, armësh dhe parash.