Dy ditë më parë, policia e Kukësit njoftoi se ka shpallur në kërkim 31-vjeçaren, Aljin Alfredaj, përgjegjëse e Kadastrës në Tropojë, e cila u pezullua nga detyra dhe gjykata i caktoi masën e sigurisë arrest në shtëpi për tre vepra penale; “Falsifikimi i dokumenteve”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
“5pyetjet.al” shkoi më tej duke kontaktuar me zonjën që policia e shpalli në kërkim. Aljin Alfredaj nuk është në arrati, sikur njoftoi policia, por ndodhet në arrest shtëpie dhe gjyqtari dje i komunikoi masën e sigurisë.
Ish-kandidatja e PS-së për deputete u shpreh se gjithçka është një sajesë me prapavijë politike për të dëmtuar imazhin e saj në prag të zgjedhjeve të lokale.
Një familjar i zonjës Alfredaj, tha më tej për “5pyetjet.al” se në momentin që policia e shpalli në kërkim, 31-vjeçarja ishte duke shkuar në spital ku ndodhet i shtruar një i afërm i saj. “Janë kurthe dhe intriga politike për t’i dëmtuar karrierën politike” tha më tej ai.
Policia në njoftimin që shpërndau për mediat theksonte se nga muaji nëntor i vitit 2021 deri në muajin qershor të këtij viti, ndaj shefen së Kadastrës ka pasur kallëzime se falsifikonte dokumentet e pronave, duke i regjistruar ato në emër të personave të tjerë dhe jo të pronarëve të ligjshëm të tyre.
Beteja ligjore vazhdon në Apel.