Një 23-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Bajram Currit, pas një operacioni nga policia e Tropojës.
Ai u kap në flagrancë ndërsa drejtonte automjetin në gjendje të dehur, dhe ishte i armatosur me një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Policia njoftoi se gjatë kontrollit të ushtruar ndaj automjetit tip “Benz”, i cili ishte në lëvizje, u gjet arma e zjarrit.
Po ashtu, nga hetimet e para rezulton se 23-vjeçari, identifikuar si A. Gj., ka qëlluar më parë në ajër me armën e gjetur.
Gjatë procedurave, ai u kontrollua dhe iu nënshtrua një testi për alkoolin, i cili rezultoi pozitiv.
Policia ka sekuestruar armën dhe automjetin në cilësinë e provave materiale. Rasti është referuar në Prokurori për hetime të mëtejshme dhe për të përcaktuar shkeljet ligjore për të cilat mund të ndiqet penalisht.
Policia e Tropojës theksoi se ky arrestim është pjesë e përpjekjeve për të luftuar veprimtaritë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe për të siguruar rendin dhe sigurinë në komunitet.
/5pyetjet.al









