“BBC” raporton se ka rënë në pranga “bosi” i drogës meksikane, Rafael Caro Quintero, i cili është kapur në Sinaloa. Quintero akuzohej për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e një agjenti të njësisë anti-drogë në SHBA në vitin 1985. Ai u kap i fshehur mes shkurreve pas ndihmës së një qeni të stërvitur posaçërisht për aksione të tilla, i quajtur Max.
SHBA tha se do të kërkonte ekstradimin e menjëhershëm të Quintero. “Nuk ka vend për t’u fshehur për këdo që rrëmben, torturon dhe vret organet e zbatimit të ligjit amerikan. Ne u jemi thellësisht mirënjohës autoriteteve meksikane për kapjen dhe arrestimin e Rafael Caro Quintero”, tha SHBA.
Ndërkohë, këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë për Amerikën Latine, Juan Gonzalez, shkroi në një postim në Twitter: “Kjo është një arritje e madhe”. Quintero ishte një nga tre anëtarët themelues të Kartelit të fuqishëm të Guadalajara. Ai kaloi 28 vjet në burg për vrasjen e ish-agjentit të Administratës Amerikane (DEA), Enrique Camarena.
Vrasja tensionoi marrëdhënie SHBA-Meksikë në atë kohë dhe më vonë u shfaq në serialin Netflix Narcos: Mexico. Në vitin 2013, një gjykatë në Meksikë shkurtoi dënimin 40-vjeçar të Quintero dhe e liroi atë. Vendimi u rrëzua më vonë nga gjykata supreme e vendit, por Quintero tashmë ishte larguar duke ikur nga sytë e autoriteteve.
Zyrtarët amerikanë thanë se ai u kthye shpejt në trafikun e drogës dhe Uashingtoni më pas ofroi 20 milion dollarë për çdo informacion që çonte në kapjen e tij. Arrestimi i Quintero është simbolikisht i rëndësishëm edhe pse ai nuk konsiderohet më një figurë kryesore në trafikun ndërkombëtar të drogës.