Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur urime ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ai përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, është shprehur se Kosova feston arritjet e tyre historike.
“Urime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kosova feston arritjet tuaja historike dhe bashkohet me angazhimin tuaj drejt reformave që do të transformojnë vendet tuaja dhe do të forcojnë rajonin dhe Evropën tonë”, ka deklaruar Kurti.
Në rastin e hapjes zyrtare të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Evropian, ka uruar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka përgëzuar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave, derisa i është drejtuar BE-së që të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.