Ditën e djeshme nga grupi parlamentar socialist është dorëzuar projekt rezoluta kundër raportit të Dick Marty-t.
Pas dorëzimit të saj, grupi parlamentar i PD-së ka kërkuar që një pjesë e saj të dënohet dhe gjenocidi serb në Kosovë.
“Në zbatim të dispozitës së sipërcituar, në vijim po paraqesim amendamentet për Projektrezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.
Konkretisht, pas pikës 16, kërkojmë shtimin e pikës 16/1 me përmbajtje si më poshtë vijon:
16/1. Duke pasur parasysh deklaratat e fundit publik të Dick Marty se po kërcënohet nga elementë radikalë serbë” me ekzekutim me qëllim përfundimtar fajësimin e njerëzve “nga Kosova për këtë”, cka rikonfirmon përpjekjet e mëtejshme për ta njollosur të vërtetën dhe UÇK-në.
Në vijim pas togfjalëshit “Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”, të shtohet një paragraf me përmbajtje si vijon:
Duke konstatuar se Republika e Serbisë po mundohet t’i shmanget përgjegjësisë, duke u fshehur pas sajesave, të cilat kërkojnë të paraqesin para botës viktimin për agresor, Kuvendi i Shqipërisë dënon genocidin, spastrimin etnik dhe masakrat e kryera nga ushtria serbe me urdhër të Sllobodan Milloshevicit mbi civilët e pafajshëm të Kosovës,” ka njoftuar PD-ja.