Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj, ka reaguar lidhur me “non gratat” e ndërmarra nga Britania e Madhe për disa individëve shqiptarë.
Në një postim në Facebook Alibeaj shprehet se kjo konfirmon qartë të gjitha denoncimet që ka bërë PD, para gjatë dhe pas procesit të 25 prillit.
“Konfirmimi më i qartë i të gjithë denoncimeve tona, para gjatë dhe pas procesit të 25 prillit. 👇
“Mbështetja që disa personazhe publike marrin nga kriminelët në këmbim të korrupsionit mbyt zërin e popullit shqiptar.
Siç tregon raporti i OSBE-së për monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, blerja e votave dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdojnë të jenë një problem madhor në politikën shqiptare. Për sa kohë që politikanët janë në gjendje të punojnë me kriminelët për të blerë, shantazhuar dhe frikësuar votuesit, demokracia shqiptare do të mbetet e brishtë dhe e paplotë. Tani nevojiten ndryshime të mëtejshme dhe reforma zgjedhore.
Krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri – dhe më gjerë në rajon – nënkuptojnë gjithashtu se shuma të mëdha fondesh shtetërore, të mbledhura nga taksapaguesit e zakonshëm, nuk arrijnë kurrë në shkollat, spitalet dhe rrugët që shqiptarëve u duhen për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme dhe të begatë.”
I dërguari special i kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor Sir Stuart Peach”, shkruan Alibeaj.
Stuart Peach, i cili është i dërguari special i Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor njoftoi sot se ka gati listën e zezë me politikanët që do të sanksionohen. Ai theksoi përpjekjet e shtuara të Mbretërisë së Bashkuar për të trajtuar krimin dhe korrupsionin në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë botën.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shkoi më tej se Stuart Peach, kur tha sot në Kuvend se Sali Berisha është në listën e zezë së Britanisë pas SHBA-së. Ambasadorja amerikane reagoi disa orë më pas duke thënë se e “mirëpresin vendimin për sanksione nga Britania”.