Presidenit Ilir Meta i është drejtuar përmes një letre informuese kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla lidhur me negociatat me Greqinë, për çështjen e detit.
Meta gjithashtu shpreh shqetësimin se nuk është informuar nga kryeministri Edi Rama në kohë për hapat e negociatave të autoriteteve shqiptare me palën greke.
Ai thekson se negociatat duhet të realizohen duke ndjekur me përpikëri aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrin e brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit.
Meta gjithashtu shpreh rezerva për vendimet e kryeministrit Edi Rama dhe Ministrisë së Jashtme për këtë çështje.
“Në respekt të transparencës, të rëndësisë së jashtëzakonshme të çështjes dhe të përmbushjes së plotë të detyrimeve kushtetutese nga të gjithë aktorët përgjegjës, sot në prag të mbarimit të mandatit tim në detyrën e Presidentit të Republikës, i nisa një letër zyrtare informuese Kryetares së Kuvendit, znj.Lindita Nikolla dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.
Uroj që çdo deputet ta lexojë me vëmendje, jashtë çdo interesi apo paragjykimi politik, dhe Kuvendi i Shqipërisë në trajtimin e saj të udhëhiqet nga interesi kombëtar, zbatimi i Kushtetutës dhe vullneti i mirë për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje.
I udhëhequr si gjithmonë nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë dhe e bashkëpunimit për çështje madhore, mbetem i hapur për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë jo vetëm deri në mbrëmjen e datës 24 korrik 2022, por edhe përtej”, shkruan Meta.