Kryeministri Edi Rama tha sot në Kuvend se pas raportit të Dick Martyt për krime në Kosovë qëndron Kremlini. Për këtë arsye, tha ai, Shqipëria do të vijojë betejën në KiE që Këshilli i Europës të tërhiqet nga balta e kësaj rezolute.
“Pse kur iu dha mundësia për të ndihmuar drejtësinë në Kosovë, Dick Marty as nuk u paraqit fare, por unë nuk e kam me atë zotërinë, por e kam me faktin që ky proces, e ka zanafillën në Kremlin, ky është fakti. Dëgjoni se cfarë thonë sot nga kanalet e propagandës së Kremlinit për Donbasin, trafik qeniesh njerëzore.
Dhe këtu nuk po bëjmë spekulim. Është një person me emër dhe mbiemër, anëtar i KiE-së dhe pastaj ka dalë një zviceran, që i ka dhënë tezës një fytyrë neutraliteti. Sot Shqipëria ka të drejtë të flasë me zë të lartë. Raportin nuk duhet ta kishte votuar asnjë anëtar, por ishin të dërguarit e të vdekurit që kujton se është i gjallë dhe Shqipëria nuk i pengoi hetimet.
Ne nuk e kemi me Dick Marty por me një asamble të KiE-së që e ka votuar, por që ka bërë viktima figurat kryesore të UÇK-së sepse i tillë ka qenë edhe qëllimi fillestar i atij rusit që nuk fliste në emër të vet dhe ka bërë viktimë botërore, UÇK-në, një nga momentet më të rëndësishme të krenarisë kombëtare. Që do ta votoni rezolutën, nuk diskutohet sepse nuk keni asnjë rrugë tjetër” tha ai.