Ditën sotme në Kuvend është miratuar harta e re gjyqësore. Pas këtij vendimi ka reaguar Këshilli i Lart Gjyqësore.
Ai ka cilësuar se harta do të ofrojë po njësoj shërbimin për qytetarët.
“Harta e re gjyqësore bazohet në metodologjinë e propozuar nga Komisioni Europian për Eficencën në Drejtësi (CEPEJ) dhe është hartuar me asistencën teknike të ekspertëve të Këshillit të Europës, USAID dh Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Ligjzbatimit e Ambasadës së SHBA në Shqipëri dhe Delegacionit të BE-së.
Vendimi i sotëm i hap rrugën një procesi i cili synon rritjen e efikasitetit dhe efektshmërisë të gjykatave dhe dhënies së drejtësisë në mënyrë të barabartë e pa vonesa për të gjithë qytetarët. Miratimi i hartës së re gjyqësore përmbush jo vetëm një detyrim ligjor, po garanton ndërhyrjen e duhur për rritjen e aksesit në drejtësi dhe siguron marrjen e shpejtë të shërbimeve gjyqësore për publikun. Qytetarët të cilët jetojnë në qytetet ku gjykatat riorganizohen do të vijojnë të marrin shërbimet si më parë nga Zyrat e shërbimeve gjyqësore.
Po ashtu, përmes zbatimit të Hartës së Re Gjyqësore synohet një shpërndarje e ekuilibruar e ngarkesës mes gjykatave dhe gjyqtarëve, përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe specializimin e profilizimin e gjyqtarëve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i angazhuar për të vijuar bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë dhe aktorë të tjerë për të siguruar një plan zbatimi të mirëmenduar që do të mundësojë jetësimin e plotë dhe me sukses te Hartës së Re Gjyqësore dhe të garantojë gjykata funksionale e shërbime e të efektshme për qytetarët,” ka njoftuar KLGJ.