“A erdhi fundi i botës?”, ishte kjo pyetja që ngritën banorë të shumtë të një qyteze në Australi, të cilët dëshmuan një dritë misterioze rozë që ndriçoi qiellin gjatë natës. Një grua tha për BBC se në ato momente po ruante qetësinë duke u thënë fëmijëve të saj se nuk po ndodhte asgjë, por thellë brenda vetes tregon se kishte frikë dhe po pyeste vazhdimisht se çfarë po ndodhte
“Çfarë është kjo? Fundi i botës, një pushtim nga alienët apo një asteroid?”, ishin hamendësimet fillestare, tregon zonja Tammy Szumovski nga Mildura në veri të Viktorias.
Gjithashtu shton se gjatë kohës kur ndodhi fenomeni, sa i çuditshëm aq dhe misterioz, ishte në një telefonatë me prindërit që i thonin se po konsumonin darkën.
“Babai tha se bëj mirë të përfundoj së ngrëni pasi botës po i vjen fundi, ndërsa mamaja ia ktheu: Çfarë rëndësie ka të përfundosh së ngrëni kur botës i ka ardhur fundi”, shpjegon Szumovski.
Një tjetër banor lokal tha se fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për Hënën e plotë të kuqe, përpara se të kuptonte që burimi i dritës ishte nga toka.
Por e vërteta si qëndron?
Mes misterit dhe frikës, e gjithë kjo rezultoi të ishte asgjë serioze. Fenomeni u krijua nga retë e dendura dhe një dritë që reflektoi mbi to pasi doli nga një fermë sekrete kanabisi në dalje të qytetit Mildura.