Ditën e premte, Sali Berisha e konfirmoi atë që njoftoi Edi Rama një ditë para (të enjten) në Kuvend se Britania e Madhe e ka shpallur “non grata”.
Por nuk mbaron me kaq. Kryeministrit, që dy paralajmërimet i kanë dalë, si në rastin e shpalljes “non grata” nga SHBA dhe tani nga Britania bëri edhe një tjetër, ogur zi.
Në Kuvend, ai tha të enjten se Sali Berisha së shpejti nuk do të kalojë as Adriatikun duke u izoluar totalisht.
“Je i damkosur dhe padëshiruar me certifikatë nga SHBA me firmë dhe vulë. Oqeani iku, tani ikën Gjibraltari, kanali i “La Manche”, mbyllet kontinenti.
Shumë shpejt do të harroni edhe Adriatikun. Mbani mend fjalët e mia, se mua më dalin fjalët” tha Edi Rama.
Por kush është shteti i radhës që po i bën letrat kryetarit të PD-së. A do të jetë Italia? A do të veprojnë shtetet e BE-së në bllok duke u bashkuar me sanksionet anglo-amerikane?
Kjo mbetet për t’u parë, por e thënë nga kryeministri do të thotë se nuk kemi të bëjmë me thashetheme.
Kambana e alarmit për Berishën është e qartë, “laku” po ngushtohet.