Është lënë i lirë Hair Breshanaj, i cili u arrestua ditën e djeshme pasi në 1998 kishte vrarë një person dhe prej 20 vitesh ishte në kërkim.
Ai u la i lirë pasi u konstatua se dënimi me 20 vite burg për një vrasje të kryer në 1998 ishte parashkruar.
“Në vijjm të operacionit policor të koduar “Vrina”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë ekzekutimi i urdhërit të ri të prokurorisë datë 23.07.2022, ora 20:00, për lënien të lirë të shtetasit Hair Breshanaj, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë konstatoi parashkrimin e dënimit me burgim të caktuar, ndaj këtij shtetasi. Shtetasi Hair Breshanaj është lënë në gjendje të lirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Hair Breshanaj, 62-vjeç prej 20 vitesh ishte në kërkim nga policia dhe bënte një jetë të mbyllur madje banorët e fshatit Vrinë, ku edhe jetonte nuk e njihnin.
Breshanaj madje kishte emigruar edhe në Greqi edhe pse ilegalisht dhe pa asnjë dokument. Policia sot mori informacion për 62-vjeçarin dhe u vunë në ndjekeje të tij.
Fillimisht, 62-vjeçari u kërkua në këmbë, pasi u mor vesh se i shumëkërkuari nuk ndodhej në banesë, u vu në lëvizje edhe droni për të zbuluar saktë vendndodhjen e Breshanaj. Ai u arrestua në mal ku ishte duke kullotur lopët. Ai nuk ka bërë rezistencë dhe i është dorëzuar menjëherë policisë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 21.12.2000, e ka dënuar me 20 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”. 62-vjeçari, më datë 24.11.1998, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, pas një konflikti për motive të dobëta, ka vrarë me thikë shtetasin Nustret Nanaj.