“5pyetjet.al” siguron foton e vrasësit me pagesë që ekzekutoi ish-drejtorin e tensionit të lartë për zonën e veriut në 2016, Saimir Jaku.

Ai u arrestua pas 6 vitesh hetime dhe pas tij, që e ka paguar për të kryer vrasjen, sipas policisë qëndron një grup kriminal në Lezhë.
Autori është Dorjan Keqi 40-vjeç, lindur në Kurbin dhe banues në Krujë. Operacioni për arrestimin e tij është koduar “Gjurma” për shkak të gjurmës që kishte lënë vrasësi dhe që çoi në identifikimin dhe arrestimin e tij.
Keqi dyshohet se ishte aktiv edhe kohët e fundit, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.
Policia në deklaratën për mediat dha edhe një tjetër lajm të rëndësishëm. Drejtori Vehbi Bushati tha se “porositësit e vrasjes dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e policisë”.
Por pyetja që shtrohet është përse nuk vepron për t’i goditur? Ndoshta policia dhe prokuroria janë duke shpresuar se do të kemi një tjetër përsëritje të rastit të Nuredin Dumanit, që vendosi të rrëfehej duke treguar grupet kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan pasi u arrestua.