Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla deklaroi sot se është e tronditur mbi raportin dhe dosjen e dërguar nga Autoriteti i Dosjeve për politikanin me inicialet I.M. që rezultoi se ishte Ish-presidenti Ilir Meta, që sipas institucionit ka qenë pjesë e sigurimit të shtetit në diktaturë. Nikolla informoi hapat që ka marrë dhe shprehu gatishmërinë për të mbledhur parlamentin për të ndryshuar ligjin.
“Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër, prandaj kam thirrur kryetarët e grupeve, i kam informuar për identitetin e politikanit I.M. falenderoj Autoritetin e Dosjeve për kurajën për këtë rast që ngre pyetje të rëndësishme. Në respekt të ligjit dhe rastit vërtetë tronditës nuk mund të flas më shumë për këtë fazë” tha ajo.
Deklarata e plotë e Kuvendit
Dje Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit ka informuar publikun për rastin e një politikani me profil të lartë, me inicialet I.M, i cili ka rezultuar i përfshirë në aktivitetin e Sigurimit të Shtetit.
Autoriteti i Dosjeve ka nisur gjithashtu një letër në drejtimin tim, ku më ve në dijeni të identitetit të këtij politikani me profil të lartë dhe kërkon nga Kuvendi ndërhyrje të menjëhershme për adresimin e një pengese ligjore, që nuk ia mundëson Autoritetit veprimet e domosdoshme për rastin.
Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër. Prandaj kam thirrur sot kryetarët e grupeve dhe kryetarët e komisionit të sigurisë dhe të komisionit të ligjeve, të cilët i kam informuar mbi letrën e Autoritetit, identitetin e politikanit me inicialet I.M, si edhe gatishmërinë time për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë.
Dua ta falenderoj Autoritetin e Dosjeve për reagimin e drejtë, të pavarur dhe profesional, si edhe për kurajon në adresimin e këtij rasti, i cili ngre pyetje të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe për forcat politike. Në respekt të ligjit dhe ndjeshmërisë së lartë të këtij rasti vërtetë tronditës, nuk mund të flas më shumë në këtë faze.
Por çfarë ka ndodhur?
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për periudhën 1944-1991 deklaron se ish-Presidenti Ilir Meta (zyrtarisht mbiemrin e ka Metaj) rezulton se ka qenë pjesë e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit në kohën e diktaturës. “5pyetjet.al” ka siguruar dokumentin që Autoriteti i Dosjeve i dërgoi ditën e djeshme Kuvendit të Shqipërisë që e vendosi në dijeni për këtë fakt.
“Në vijim të kërkesave dhe propozimeve tona të mëparshme, por sidomos duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucion mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të lartë të shtetit, siç është ish-presidentit i Republikës, Ilir Metaj, i pajisur me certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisioni Mezini dhe Bezhani, e konfirmuar nga ana jonë me vendimin e autoritetit nr. 17, datë 28.04. 2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-sigurimit të shtetit. Nëse institucioni do të ishte në kushtet e riverifikimit të pastërtisë së figurës së shtetasit Ilir Metaj, gjë të cilën nuk na e lejon neni 29, pika 4, e ligjit funksional, rezultatet e kërkimit do të ndryshonin” thuhet në dokumentin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, që i dorëzoi Kuvendit.
Tedi Blushi, që ka qenë zëdhënës i Ilir Metës në Presidencë dhe tani në Partinë e Lirisë e hodhi poshtë duke sfiduar Autoritetin e Dosjeve të nxjerrë provat. Vetë Ilir Meta ende nuk ka reaguar pas daljes së dokumenteve.
Tani, Autoriteti i Dosjeve i kërkoi Kuvendit që të ndryshojë ligjin, pasi me dispozitat aktuale, zyrtarët që më parë kanë marrë një certifikatë pastërtie nuk mund të verifikohen edhe nëse kanë dalë të dhëna të reja për të kaluarën e tyre, sikur i referohet rastit të Ilir Metës, pasi i pengon ligji.
“Dosjet” kërkojnë që të verifikohen edhe njëherë të gjithë personat që kanë dalë të pastër nga komisionet e ngritura asokohe deri në 1997. Socialistët janë vendosur në lëvizje për të ndryshuar ligjin.