Ndodh një ngjarje e bujshme kriminale, përgjigja e parë: mos e përdorni politikisht!
Zbulohet një aferë korruptive, skandalet pasojnë njëra-tjetrën, reagimi i parë: mos e politizojmë!
Emigrimi në rritje. Vendi zbrazet. Përgjigja e parë: mos e përdorni politikisht.
Çmimet e inflacioni në rritje: mos i përdorni politikisht.
Rrogat e pensionet në gropë, përgjigja: mos politizoni.
Zjarret bëjnë kërdinë, reagimi i shpejtë: mos i përdorni politikisht.
Bie tërmet, reagimi parë: mos politizoni fatkeqësinë.
Pandemia: mos bëni politikë me pandeminë.
Bie shteti digjital, reagimi i shpejtë: mos e përdorni politikisht.
Investitorët strategjikë dalin amerikanë nga Kuçova e zviceranë nga Peqini, përgjigja shterruese: mos politizoni biznesin.
Në ngarkesat me kokaine, kapet edhe ndonjë arkë me banane, përgjigja: Mos e përdorni politikisht.
Atëherë: Pse duhet POLITIKA?
Nëse i referohemi kuptimi të vjetër të fjalës greke: politikë do të thotë “çështje të qytetit/vendit”. Pra më shqip, thirrja mos politizoni është: mos u merremi me çështjet e vendit?!
Kjo e ka edhe një të mirë të madhe: nuk kemi më nevojë për politikanë.