Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se nuk ka asnjë arsye për shtim tensionesh në Kosovë për shkak të zbatimit të masave të reciprocitetit me Serbinë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se Serbia kurrë nuk ka qenë në situatë më të rëndë dhe më të ndërlikuar lidhur me Kosovën.
Të dy udhëheqësit i bënë këto komente një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendimet e qeverisë së Kosovës, për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.
Nga e hëna të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal.
Po nga e hëna më 1 gusht rrjedh afati dy muajsh për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, t’i regjistrojnë ato me targat e Kosovës RKS.
Beogradi kundërshton masat e tilla dhe akuzon Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të dielën se “situata për popullin tonë në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. “Nëse nuk duan të ruajnë paqen, unë po ju them se Serbia do të fitojë”, tha ai në një konferencë me gazetarë në Beograd.
Në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti mblodhi të dielën Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar zbatimin e vendimeve ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi për destabilizimin e situatës.
“Unë jam kryeministër i progresit dhe i shpresës. E di që në fqinjin tonë verior, në skenën politike atje ka shumë politikanë e zyrtarë deri te kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës e frikësimit. Unë besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligjit, Republika, kushtetutshmëria nuk kanë alternativë, andaj edhe uroj, besoj dhe punoj që nesër gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë. Ne nuk do t’ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë. Ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim. Pra, ata vijnë me dokumentet e lëshuara nga Serbia. Ne nuk ua marrim ato. Ne ua lëshojmë një fletë-deklarim sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësoj me çdo qytetar të Republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Pra, nga nesër, ata do të kenë një dokument më shumë, jo më pak”, tha kryeministri Kurti gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë.
Në vitin 2011 Kosova dhe Serbia kishin rënë dakord për një marrëveshje mbi lëvizjen e lirë në bazë të së cilës dokumentet e të dyja palëve zëvendësohen me një fletë-deklarim të përkohshëm. Beogradi ngulë këmbë se marrëveshja nuk ka të bëjë me serbët në veriun e Kosovës.
Ndërkaq që nga fillimi i tetorit të vitit të kaluar Kosova dhe Serbia zbatojnë një marrëveshje të përkohshme sipas së cilës targave të makinave u vendosën fletë ngjitëse aty ku shihen simbolet shtetërore të të dyja palëve. Marrëveshja e përkohshme u arrit më 30 shtator pas disa ditësh trazirash në veriun e Kosovës, ku grupe serbësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit për përdorimin e targave.
Ndonëse ishte vendosur një afat gjashtë muajsh për një marrëveshje përfundimtare rreth kësaj çështjeje, më 13 maj palët dështuan të pajtohen rreth saj.
Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 dhe që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh, por zbatimi i tyre është ende një sfidë.
Serbia e mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që është njohur nga vendet kryesore perëndimore./ VOA