Prej tetë ditësh ende nuk ka asnjë gjurmë nga Ervis Martinaj. Pesë ditë më parë ishte familja e tij, konkretisht xhaxhai, Faik Martinaj që bëri denoncimin në policinë e Kurbinit për zhdukjen e nipit, pasi kishin tre ditë që kishin humbur kontaktet.
Por prej datës 11 gusht kur u bë denoncimi dhe deri më sot ende nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e tij. Prokuroria e Kurbinit e ka regjistruar procedimin penal si një rrëmbim të mundshëm personi.
Megjithatë ende nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një inskenim nga Martinaj për të humbur gjurmët pasi kërkohet jo vetëm nga drejtësia por edhe grupet kriminale, referuar dëshmisë së Nuredin Dumanit.
Deri tani policia ka ushtruar kontrolle në disa zona, por personi kyç që njoftoi familjen se ka humbur kontaktet me Martinajn ndodhet në Dubai, që njihet si streha e kriminelëve dhe policia e ka pasur të vështira që të marrë dëshminë e tij për kontaktin e fundit.
Ervis Martinaj është në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani i cili ka thënë se Martinaj e kishte paguar për të vrarë Indrit Doklen.
Ai ka thënë se 500 mijë euro do paguante Ervis Martinaj për këtë vrasje. Vetë Nuredin Dumani ka thënë se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj për ta vrarë, ka rënë dakord që Ervisi të jepte për vrasjen e Indritit shumën prej 500 000 Euro dhe se ka marrë paradhënie shumën prej 100 000 Euro.
Dokle ka qenë numri dy i Bandës së Durrësit dhe i dënuar për “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale.