Ish-kryeministri Berisha garantoi mësuesit dhe ekspertët se kur PD-ja të vijë në pushtet arsimi do të jetë prioritet i qeverisë.
“Ndaj dhe duke garantuar ju se për ne edukimi është një proces themelor duke filluar nga pasqyrimi i tij dhe reflektimi i tij në identitetin tonë kombëtar, në të sotmen dhe të ardhmen tonë, ne e kemi dhe do ta kemi këtë proces, procesin më serioz të veprimtarisë së PD nesër në pushtet” tha ai.
Ai tha më tej se 90% e shkollave të Tiranës janë pa ngrohje.
“Në rast se marrim infrastrukturën, ajo përsëri është në rrënim. Sot 90% e shkollave nuk kanë ngrohje, nuk kanë ngrohje as shkollat në Tiranë sepse kreu i bashkisë shpenzon 10 milionë euro për dezinformim mediat, për furça të pseudopersonalitetit të tij.
A mund të imagjinohet? Dhe nuk i shpenzon ato 10 milionë euro për ngrohjen e shkollave të Tiranës. 70% e shkollave nuk kanë ujë të rrjedhshëm. Dhe kushtet në këto shkolla janë njësoj që nga koha kur janë krijuar shkollat ndoshta, jo dekada, por edhe shekuj mbrapa“.