Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë, e para prej marrjes së detyrës në krye të shtetit. Por vizita në Prishtinë është shoqëruar me polemika, pasi nuk është takuar me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
LDK-ja është indinjuar që presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj nuk shkoi në zyrat e kësaj partie për ta takuar Lumir Abdixhikun.
Por cili është reagimi i Presidentit të Shqipërisë për këtë? Një burim nga Presidenca sqaroi për “5pyetjet.al” se në axhendë, Presidenti i Shqipërisë të gjitha takimet me drejtuesit e partive i planifikoi në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe jo në selitë e partive.
“Sic jeni në dijeni në axhendën e Presidentit Begaj, të gjitha partitë e opozitës së Kosovës, u ftuan në selinë e Kuvendit. Në njoftimin për shtyp të shpërndarë më herët gjeni forcat politike që iu përgjigjën ftesës”.

Ndryshe nga kryetarët e partive të tjera, Lumir Abdixhiku nuk pranoi që të takohej me Presidentin e Shqipërisë në ambientet e Kuvendit të Kosovës.