-sidi education-spot_img
25.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Arbër Zaimi: Rasti amerikan, a do të dënohen rusët për spiunazh?

Kryesoret

Rusia arrestoi basketbollisten amerikane Grinner dhe e dënoi atë me 10 vite burg. Basketbollistja luante për një skuadër ruse dhe teksa po nisej për në SHBA, autoritetet ruse pretendojnë se i gjetën në çantë vaj kanabisi. Askush nuk u tall me këtë punë, as në Amerikë as në Rusi. Në Amerikë ka një lëvizje shoqërore që i bën presion qeverisë amerikane të bëjë çmos për lirimin e saj, ndërsa qeveria amerikane po bën maksimumin duke u përpjekur të mos vërë në rrezik objektivat strategjike gjatë një situate të ndezur gjeopolitike (Ukraina, ndoshta Taivani e vende të tjera).

Shumëkush në Amerikë pajtohen se vaji i kanabisit mund të jetë vendosur në çantë nga agjentë rusë, sipas versionit të Grinner. Nga ana tjetër Rusia këmbëngul se po zbaton vetëm ligjin, teksa nuk heziton ta përfshijë rastin Grinner në negociata “çfarë na jepni në këmbim të lirimit”. Jemi në një situatë kur palët negociojnë edhe për të burgosurit apo pengjet në të dyja anët.

2. Çfarë do të ndodhte nëse strukturat inteligjente të NATO-s kërkojnë nga shteti shqiptar dënimin e “turistëve rusë” për spiunazh? Situata është e ngjashme, rusët pretendojnë se ishin vetëm blogerë që fotografonin rrënoja ushtarake. Por ata “blogerë” sulmuan ushtarët e një ushtrie anëtare të NATO-s, që ruanin një vend jo të hapur për publikun, një uzinë armësh.

Po të mbante në burg turistët/spiunët, Shqipëria do të ekspozohej ndaj Rusisë, e cila në rajonin ballkanik mban baza e stërvitje ushtarake në Serbi, aktualisht mban luftanije të saj në Adriatik, dhe ka nën kontroll disa parti parlamentare prej Hungarisë e deri në Greqi. Po t’i lironte turistët/spiunët Shqipëria do të ekspozohej si partner i paqëndrueshëm i NATO-s, si aleat i cili nuk të hyn në punë në kohë lufte.

Ky version është thuajse i pamundur, Shqipëria e ka shumë të vështirë t’i thotë “jo” Amerikës, e cila e ka marrë përdore dhe e ka çuar deri në Këshill të Sigurimit. Hapja e kufijve të Shqipërisë për turistë rusë mund ta vërë atë përballë një thike me dy tehë. Përballë një situate ndërkombëtare për të cilën Shqipëria nuk është e përgatitur, duke qenë se ka kultivuar elita burokratike e diplomatike thjesht sipërfaqësore, kompradore e joserioze.

3. Shqipëria aktualisht ka baza të NATO-s brenda territorit të saj, dhe e ftoi Stoltenbergun për port ushtarak e baza të tjera, por ftesa u prit ftohtë meqë Shqipëria nuk ka treguar seriozitet në trajtimin e ushtrisë së saj. Është sekret publik se Shqipëria mban më pak ushtarë se sa deklaron zyrtarisht, teksa facilitetet ushtarake i ka rrënuar e pastaj i ka privatizuar në masë të madhe.

Vetë Rama ka deklaruar se Shqipëria nuk do të japë asnjë cent më shumë se detyrimi që ka nga NATO për ushtrinë e saj, dhe se Shqipëria ku të gjejë të marrë ndonjë lek nga NATO e jo t’i kontribuojë asaj financiarisht. Kjo logjikë e shtetit-lypës nuk të çon askund.

4. Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Peleshi, tha si shkarazi se janë duke menduar të ringjallin industrinë e prodhimit të armëve për shkak se konflikti në Ukrainë ka rritur kërkesën. Është 100% e sigurtë se ky “mendim” nuk ka asnjë gjasë të shprehet publikisht nga Peleshi, pa qenë i konsultuar gjerësisht e gjatësisht me NATO-n, për muaj me radhë.

A u përmend shkarazi ky fakt tash për shkak se rasti i turistëve/spiunëve mund ta nxirrte befasisht në publik këtë çështje e cila deri më tash është mbajtur larg syve të publikut (për arsye të vetëkuptueshme sigurie)?

5. Turistët rusë u goditën në Krime para pak ditësh. A do të jenë ata të sigurtë prej ukrainasve në plazhet e Shqipërisë? Të mos harrojmë se turistë nga Ukraina e Rusia vijnë lirisht në Shqipëri. Ukraina ka kërkuar nga Shqipëria mbylljen e kufijve për rusët qysh në prill. Shqipëria ka refuzuar. Çka nëse Ukraina, e cila ka treguar se është e aftë të godasë caqe ruse, godet ndonjë të tillë në territor shqiptar? Ose çka nëse Rusia godet caqe ukrainase në Shqipëri?

6. Në Ukrainë po ndërrohen e po dënohen shefa të shërbimit sekret gati çdo muaj. Po dënohen zyrtarë të lartë për bashkëpunim e tradhti. Nga ana tjetër Rusia dyshohet se po i heq qafe shumë nga oligarkët e vet, të cilët janë pasuruar me leje të shtetit e para të shtetit, por kanë krijuar lidhje kapitali në perëndim që i bëjnë të dyshimtë për Moskën apo të ndikueshëm edhe nga qendra të tjera.

Dje u vra vajza e ideologut të së djathtës ekstreme ruse, ndikuesin e opinionit publik pro-Putin, Duginit, nga një bombë e cila për cak kishte vetë Duginin. Bombën thuhet se e kanë vënë pjesëtarët e forcave anti-Putin brenda Rusisë. Pra lufta nuk luftohet veç në frontet e basenit të Donit, as thjesht në tryezat e sanksioneve e kundërsanksioneve financiare.

Ajo tashmë shtrihet në fronte të inteligjencës, me caqe edhe jashtë Ukrainës. Hapja për turistë nga Rusia në këtë periudhë është naivitet, teksa edhe për turistët që vijnë nga Ukraina do të duhej të kërkohej një screening nga autoritetet dhe inteligjenca ukrainase.

7. Dikush po mendon se nëse rusët janë vërtet blogerë, atëherë shpëtuam. Puna është se edhe si blogerë, pa qëllime të tjera, ata ekspozuan globalisht se Shqipëria është një nga hallkat e dobëta të NATO-s, ku protokollet e sigurisë dhe kriteret e tjera, zbatohen veç sa për sy e faqe.

Nuk ka rrezik më të madh se sa kur vendi yt ekspozohet si hallkë e dobët dhe joserioze e një aleance ushtarake që është pranë përfshirjes në luftë (dhe le të shpresojmë ne se kurrë nuk përfshihet aleanca në luftë, paçka se kjo do të qe fort e panatyrshme për një aleancë ushtarake).

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit