-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Energjia elektrike në Kosovë do të kufizohet me 2 orë

Kryesoret

Kosova ka nisur këtë të hënë kufizimin e furnizimit me energji elektrike të popullatës. Nga ora 8 e mëngjesit të gjithë konsumatorët do të kenë 6 orë energji dhe 2 orë kufizime, pasi furnizimi do të kryhet vetëm nga prodhimi në vend.

Shkak për këtë vendim është bërë fakti se Kompania e Shpërndarjes së Energjisë (KEDS) dhe ajo e furnizimit me energji KESCO nuk kanë mundësi financiare që të importojnë krahas prodhimit vendas. Çmimet e jashtëzakonshme në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimi i kostos së sistemit janë arsyet kryesore.

Sipas burimeve zyrtare, qeveria e Kosovës duhet të subvenciononte KEDS me rreth 100 milionë euro për blerjen e energjisë nga jashtë. Por, deri tani kjo nuk është bërë e mundur, duke e rënduar më tej situatën.

Të dy kompanitë e mësipërme e kanë mbyllur vitin 2021 me humbje të mëdha financiare, njëra 27.8 milionë euro dhe e tjetra 18.5 milionë euro, në një total që arrin në mbi 46 milionë euro humbje.

Në Kosovë, rreth 94 për qind e energjisë prodhohet nga termocentralet me qymyr dhe pjesa tjetër nga burimet e rinovueshme si hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore.

Në fillim të këtij muaji qeveria e Kosovës, miratoi vendimin për shpalljen e masave emergjente në furnizimin e energjisë, që u votuan më pas edhe nga Kuvendi. Masat e marra do të qendrojnë në fuqi për 60 ditë nga miratimi në Kuvend. Ky institucion mund të zgjasë më tej këtë afat nga 30 deri në 180 ditë.

Me qëllim të sigurimit të energjisë së mjaftueshme gjatë dimrit dhe të mbrojtjes së interesit publik, emergjenca ndër të tjera, përfshin:

Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim sigurimin e ngrohjes gjatë dimrit; Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për prodhimin e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

Njëkohësisht, Ministria e Ekonomisë po monitoron situatën elektroenergjetike në vend dhe ndërhyrjet e Korporatës Elektroenergjetike në përgatitjen e termocentraleve për sezonin e dimrit.

Sipas qeverisë së Kosovës, ndonëse termocentralet janë tejet të vjetruara, drejtuesit e Korporatës së bashku me ekipet e mirëmbajtjes janë duke bërë maksimumin që blloqet e termocentraleve të gjenerojnë energji elektrike të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën. Termocentralet janë në funksion mbi 80% të kohës gjatë një viti, që është mbi mesataren botërore të punës së termocentraleve me qymyr.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit