Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka propozuar që përveç referendumit, prokurorët të zgjidhen nga populli siç ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I ftuar në Syri TV, Meta vuri në dukje se SPAK është një krijesë e kryeministrit Rama duke iu referuar një deklarate të mëparshme të kreut të qeverisë. Ndërsa shtoi se emri i tij do të lakohet për sa kohë ai është në politikë.
“Tani ata duan të bëjnë lajme për Edi Ramën, le të bëjnë lajme për Edi Rama. Është mungesa e drejtësisë për shqiptarët, për ata qytetarë që janë aty.
Një pjesë e mirë e shqiptarëve duan të ikin. Kjo që kthejnë institucionet kundër një ish-presidenti, një ish-drejtuesi të opozitës.
Mendoni se çfarë bëjnë me njerëzit e tjerë, me pronat e tyre. Jam këtu në Jalë dhe ka shumë qytetarë që më tregojnë se si po ua grabisin pronat.
Tani ka ardhur momenti që përveç referendumit, ndoshta për çështjen e drejtësisë duhet ta bëjmë si në Amerikë që prokurorët t’i zgjedhim nga populli.
Nuk ka si të hetojë SPAK-u se kur e dinë të gjithë prokurorët që Edi Rama ka përgjegjësinë kryesore për inceneratorët, këta nuk kanë si të merren me Agaçin. Paguhen trefishi i presidentit”, u shpreh Ilir Meta.
Jeni i gatshëm të hetoheni nga kjo drejtësi?
Ilir Meta: Unë s’kam asnjë iluzion se çfarë drejtësie është kjo. Nëse ata duan të çlirohen nga presioni i Edi Ramës që e ka thënë vetë se SPAK-u është një krijesë e PS, ajo është çështje e tyre. Por askush nuk duhet të përjashtohen nga hetimet. Duan të bëhen pjesë e lojërave politike, le të bëhen.
Kjo është hera e dytë që lakohet emri juaj…
Ilir Meta: Emri im është lakuar dhe do të lakohet për sa kohë do të jem në politikë.