Katër punonjës të bashkisë së Pogradecit u arrestuan për vjedhje. Ata janë; Reshit Fraholli 58 vjeç, Raif Muçka 58 vjeç, Bektash Xhudellari 35 vjeç dhe Marsel Muçllari 35 vjeç.
Motoristë nga Gjermania të organizuar në një shoqatë bamirësie sollën si donacion 10 kamionë me pajisje për shkollat dhe spitalin në Pogradec, por që ranë pre e vjedhjes nga ata që duhet t’i shpërndanin.
Mes të arrestuarve është edhe Reshit Fraholli. Ai ka qenë kandidat për kryetar në Komunën Cerravë si dhe ka punuar tek Ujësjellës Kanalizime në Pogradec. Dega e Partisë së Lirisë në Pogradec vrapoi për të denoncuar vjedhjen skandaloze.
“Partia e Lirisë, Dega Pogradec ngre shqetësimin mbi punësimet dhe administratën e pushtetit lokal, e organizuar dhe e rekrutuar nga partia në pushtet.
E cila në jo pak raste ka qenë në fokusin e denoncimit të qytetarëve për nivelin e profesionalizmit, arrogancën apo korrupsionin në nivele të ndryshme.
Vjedhja e ndihmave është ndoshta akti fundor i një administrate që në vend që ti ruaj i shpërdoron apo i vjedh ato gjatë natës.
Përgjegjësia bie mbi të gjithë ata që janë të përfshirë, por sigurisht edhe mbi drejtuesit e Bashkisë Pogradec.
Ende nuk kemi parë një akt distancimi ndaj këtyre veprimeve, gjë e cila i bën edhe më shumë bashkëpunues në keqpërdorim drejtuesit aktualë”, thuhet në reagim.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Pakoja e fundit”, u sekuestruan pakot e vjedhura nga dritarja e godinës dhe automjeti tip “Audi”, me të cilin do të transportoheshin.