Për herë të parë, Presidenti Joe Biden ka folur për temën e ndjeshme të politikës amerikane, kontrollin nga FBI-a të shtëpisë së ish-Presidentit Donald Trump në Florida.
Gjatë një takimi të martën në Pensilvani, për të çuar përpara planin e tij për parandalimin e krimeve, Presidenti Biden kritikoi republikanët për sulmet e tyre verbale ndaj FBI-së.
“Është e pështirë të shohësh sulmet ndaj FBI-së, duke kërcënuar jetën e agjentëve të zbatimit të ligjit dhe familjeve të tyre, thjesht pse bëjnë detyrën e tyre dhe zbatojnë ligjin”.
Pas kontrollit nga FBI-ja të rezidencës së ish-Presidentit Donald Trump në Florida, në fillim të këtij muaji, mbështetësit e zotit Trump kanë bërë thirrje për shkurtimin e fondeve për FBI-në.
“Kemi nevojë ta zëvendësojmë këtë agjenci sepse nuk besoj se mund të reformohet. Ajo po vepron si një shtet brenda shtetit, ka dalë jashtë kontrollit dhe po shkel të drejtat e njerëzve, kjo është e papranueshme”, thotë John Hugo, bashkëthemelues i organizatës politike të krahut të djathtë “Super Happy Fun America”.
Presidenti Biden kritikoi republikanët për mbrojtjen e autorëve të sulmit të 6 janarit ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan.
“Po u them miqve të mi republikanë (MAGA) në Kongres. Mos thoni se i mbështesni organet e rendit, nëse nuk dënoni atë që ndodhi më 6 janar. Mos thoni se nuk mundeni. Për hir të Zotit, në anë të kujt jeni?”
Komentet e Presidentit Biden shënojnë një përshkallëzim të dukshëm të retorikës së fushatës para zgjedhjeve të nëntorit, ku republikanët shpresojnë të rimarrin kontrollin e Kongresit.
Zëri i Amerikës bisedoi me profesorin William Howell të Universitetit të Çikagos.
“Është një hapësirë e ndërlikuar manovrimi politik, që nga njera anë të mbështesësh sundimin e ligjit dhe nga ana tjetër të kritikosh Departamentin e Drejtësisë, për të ndjekur penalisht kundërshtarët”./VOA