Qytetarët nga Kosova të cilët po udhëtojnë në drejtim të Serbisë, janë duke udhëtuar lirshëm pa pasur nevojë për dokumente shtesë, këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Kishim një automjet që kaloi pa probleme në Bërnjak. Do të thotë është ndërprerë lëshimi i fletë hyrje-daljeve nga ana e Serbisë. E njëjta ka ndodhur edhe në Merdar, te Dheu i Bardhë dhe në Muçibabë”, deklaroi Sveçla para gazetarëve.
Ai tha se pos kësaj, do të vazhdohet edhe me iniciativa të tjera, “pa probleme të kalojë edhe çështja e targave ilegale”.
“Jam i bindur se edhe serbët do të përfitojnë dhe nuk do të ketë nevojë për kurrfarë marrëveshje. Nuk besoj se do të ketë tensione”.
Zbatimi i vendimit për targa dhe i atij për reciprocitet në dokumente identifikimi ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht. Por, ato i kishin pezulluar plumbat e shtënë ndaj policisë në veriun e banuar me serbë disa orë para se të mbërrinte kjo datë, barrikadat e vendosura në rrugët që çojnë në dy pikëkalime kufitare me Serbinë dhe kërcënimet e dhëna në Beograd.