Tre ditë pas ekzekutimit të Ismet Çekores në Shkodër ende nuk ka asnjë të arrestuar për atentatin në mes të ditës.
Autori e qëlloi dhe u zhduk me një motor duke humbur gjurmët. Dëshmitarë të shumtë treguan atë që panë me sy. Të shoqëruarit ishin mbi 20.
Por në qeli akoma nuk ka asnjë për krimin. Pista kryesore ditën e parë ishte hakmarrja për shkak se djali i viktimës është në kërkim për një atentat në 25 gusht.
Por tashmë nuk është më në shënjestër familja Buçi. Dy familjet u takuan pas atentatit ndaj Alban Buçit.
Familja e të plagosurit, pra Buçit kishte pranuar versionin e të atit të të ekzekutuarit tashmë, Ismet Çekorja se nuk kishte qenë Bajrami autori.
Megjithatë ai vijon që të jetë në kërkim. Viktima Ismet Çekorja foli për mediat 4 ditë përpara se ta vrisnin.
Ai përmendi disa emra, të gjallë dhe të vdekur. 58-vjeçari tha se nuk kishte konflikte me asnjë. Për fisin Bajri, ai tha se kishin shoqëri.
Për dy vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali të vrarë disa vite më parë, i ndjeri u shpreh i ka pasur komshinj dhe shkonin mirë.
Po, ashtu përmendi edhe biznesmenin Arjan Feracaku, të ekzekutuar disa vite më parë, për të cilin tha se ka qenë nipi i tij.
Çekorja nuk përmendi askënd për hasmëri në Shkodër. Por kush janë autorët? Duket se edhe kjo dosje do të mbetet pa autor për policinë e Shkodrës.