Një grua 38-vjeç është arrestuar nga policia e Kosovës pasi ka bërë denoncim të rremë. Të hënën ajo ju tha zyrtarëve policorë se në një lokal në rrugën “Bajram dhe Gursel Sylejmani” në Ferizaj, e kishte parë një person duke e nxjerrë një armë zjarri nga sirtari i banakut.
“Policia e Ferizajt nën dyshimin se mund të ketë lajmërim apo kallëzim të rrejshëm ka nisur hetimet ndaj personit anonim që ka lajmëruar policinë dhe pas një pune hetimore, hetuesit policor kanë arritur që të identifikojnë të dyshuarën dhe vendin e ndodhjes së saj, e cila më pas është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj”, thuhet në njoftim.
Pas intervistimit nga hetuesi, Policia thotë se “ajo në tërësi e ka pranuar veprën”.
Me vendim të prokurorit të rastit, ajo është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore dhe ndaj saj është iniciuar kallëzim penal, nën dyshimin se ka kryer vepër penale ‘’ Lajmërimi, apo kallëzimi i rrejshëm’’.