Policia ende nuk ka asnjë të arrestuar për atentatin dy ditë më parë në mes të Durrësit kundër Akil Nerjakut. Akil (Gentjan) Nerjaku është një personazh i njohur për drejtësinë. Ai rezulton i arrestuar për armëmbajtje pa leje.
Nerjaku u arrestua më 3 tetor të vitit 2017 në kuadër të një operacioni në atë kohë për goditjen e elementëve kriminalë. Në pranga përfundoi edhe një shtetas tjetër M. Fierza, person me precedent penal, që njihet edhe si mik i Lul Berishës.
Në drejtim të Akil Nerjakut u qëllua në zonën e Plazhit në Durrës teksa ai ishte duke lëvizur me një makinë tip “Mercedes Benz-GL”.

40-vjeçari ishte pasagjer në makinën ngjyrë të zezë, ndërsa në timon ishte djali i vëllait të ministrit Lefter Koka, 26-vjeçari Haki Koka.
Autorët lëviznin me një automjet tip furgon ngjyrë të bardhë. Dyshohet se autorët e kanë ndjekur objektivin e tyre.
Sapo ai ka zbritur nga makina, kanë qëlluar një herë me snajper, por plumbi nuk e ka kapur dhe ka qëlluar një makinë të parkuar me targa të huaja.
Sapo kanë bërë atentatin, autorët me furgonin e bardhë janë larguar në drejtim të Plepave ku edhe kanë humbur gjurmët.