Ambasadorja amerikane Yuri Kim mblodhi sot në KQZ përfaqësuesit e partive politike. Një ditë pasi një zyrtar i lartë amerikan tha se Rusia financoi me 500 mijë euro fushatën e PD-së në 2017 në Shqipëri.
Por cfarë u diskutua konkretisht në takim?
Tabaku tha se diskutimet ishin “për të bërë transparencë e para e së dyti për të qenë larg influencave që nuk duhet të harrojmë ekzistojnë nga Kina, Rusia apo Irani”.
E pyetur konkretisht për skandalin, Tabaku u shmang. “Unë besoj se do ketë deklaratë nga ambasada për t’ju informuar” tha ajo.
Sekretari i përgjithshëm i PS-së, Damin Gjiknuri u shpreh se rasti i skandalit është shembulli që duhet të shmanget.
“Ky është një shembull sesi ne partitë politike duhet të evitojmë përfshirjen me financime që nuk i bëjnë mirë këtij vendi.
Ne do të diskutojmë, kemi një komision të reformës zgjedhore që mund të forcojë dispozitat në lidhje me financimin e fushatës.
Fokusi i bisedës ishte shqetësimi që kanë aleatët tanë për përfshirjen e influencave ruse qoftë në Partitë politike, apo qoftë në organizata të tjera mediatike përmes formave indirekte.
U transmetua shqetësimi nisur edhe nga raporti i fundit dhe u bisedua që këto shqetësime janë reale dhe partitë të marrin masa që këto mos të ndodhin” tha Damian Gjiknuri.