-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ish-drejtuesi flet për “5pyetjet.al”: Problemet e policisë, gostitë, Martinaj, bastet e mjekra

Kryesoret

Nga Dylber Balla

Ish-drejtuesi i lartë në Policinë e Shtetit, Pëllumb Nako në një intervistë të gjatë për “5pyetjet.al” analizon duke “skanuar” në detaje problemet e policisë së shtetit, lëvizjet e fundit, nivelin e kriminalitetit, shkaqet dhe pasojat që po përballemi. Ai tregon faktorët realë që kanë çuar policinë në këtë gjendje.

Intervista e plotë

A mendoni se problemi në policinë e shtetit janë emrat në drejtim, apo fryma e krijuar në dekadën e fundit?

Ndërrimi i emrave në krye të policisë sigurisht ka rëndësi dhe madje të madhe, por nuk është e mjaftueshme për mbarëvajtjen e organizatës. Në rastin e drejtuesit ka rëndësi emërimi i tij sipas kritereve ligjore dhe jo duke u katapultuar pa parametrat e duhur  të parashikuara në ligj.

Kjo do të thotë se emërimi i një drejtuesi me eksperiencën e duhur, është hap pozitiv dhe emërimi i fundit, mbetet korrekt pavarësisht nga ndonjë koment përqeshës. Por siç e theksuam pak me lart, kjo nuk mjafton sepse pavarësisht nga komentet e shumta, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk mund të punojë jashtë ndikimit dhe harmonizimit të strategjive të tij me Ministrin e Brendshëm.

Kjo sepse ky i fundit pavarësisht se nga ana ligjore nuk ka kompetenca mbi policinë, por politikisht është qeveria ajo qe i premton publikut siguri dhe për këtë jep llogari në periudhe zgjedhjesh. Ndaj dhe në këtë mes, shumë komente që i japin pavarësi absolute Drejtorit të Policisë, nuk kanë të drejtë. Ky pra është parimi sepse nuk mund të ketë qeveri të keqe dhe polici të mirë apo qeveri të mirë dhe polici të keqe.

Policia paraqet imazhin e shtetit ku ofron shërbim. Nga ana tjetër edhe Ministri nuk mund të ndërhyjë edhe në teknikalitetet e policisë dhe as Drejtori të bëjë gjithçka pa koordinuar me ministrin. Ajo që ndodh në vendin tonë përgjithësisht ky raport nuk zbatohet dhe janë ministrat ata që ushtrojnë pushtet okult mbi policinë duke e kthyer atë në një lloj notereje të vullnetit te tij.

Në këto kushte, edhe për një drejtor të jashtëzakonshëm policie, nuk është e mundur kryerja e detyrës nëse ministri e sheh postin si një urë për të ecur para në karrierën e tij politike. Por edhe drejtorët “yes man” të ministrit, nuk janë të duhurit. Pra në thelb, e pamundur të kryhet detyra siç duhet pa vullnet politik, kushdo qoftë drejtori, edhe kur ai mundohet të pastrojë radhët e policisë nga përdoruesit e drogës apo të inkriminuarit.

Përballë vettingut, testit të drogës dhe alkoolit, a mendoni se policët janë nën presion?

Përgjigja e pyetjes së dytë në fakt shihet te një pjesë e pyetjes së parë. Presion direkt përgjithësisht ka, por është fryma ajo që imponon disa sjellje të policisë. Policia i njeh mirë të gjithë të paprekshmit për shkak të lidhjeve të tyre kryesisht me natyre politike. Nuk ka nevojë për policin të marrë presion kur ai e di mirë se kush shoqërohet dhe shtron gosti për persona të niveleve politike sidomos kur janë fushatat elektorale.

Pra në një atmosfere ku kufijtë e kriminelëve nuk ndahen qartë me ato të militantëve që sjellin vota, jo vetëm që policia nuk do të ndërhyjë por edhe do të vihet në shërbim të tyre natyrshëm (pasi madje një kategori syresh kontrollojnë edhe pushtetin lokal) por edhe do te mundohet të ketë përfitime financiare duke i shërbyer atyre si mbulim në aktivitetin kriminal.

Si e vlerësoni urdhrin e fundit që policët nuk duhet të mbajnë mjekër, a është ky problemi kryesor nga nis reforma?

Nuk duhet banalizuar ai urdhër. Nuk duhet kuptuar thjesht si çështje për të hequr një mjekër. Nëse aktualisht është provuar se degradimi i ambientit ku jetojmë ushtron presion mbi sigurinë e qytetarit, cfarë duhet të kuptojmë nëse është punonjësi i policisë ai që degradon? Pra paraqitja e jashtme e punonjësit të policisë nuk është thjesht çështje estetike, por ajo ngjall ose siguri ose pa siguri.

Kush janë faktorët që kanë ndikuar në nivelin e kriminalitetit në vend?

Faktorët socialë e kanë rritur shumë kriminalitetin në vendin tonë. Polarizimi i shoqërisë në të varfër dhe super të pasur duke mos u shoqëruar me masa zbutëse me karakter ekonomik nga qeveria rrit nevojën e të varfërve. Kjo e fundit i çon ata shpesh edhe në rrugë kriminale. Ky është rasti me klasik apo teorik. Specifike për vendin tonë vitet e fundit është flirtimi i qeverisjes me krimin, sidomos me masivivizimin e tij.

Pra nëse qeveria sheh se edhe aktiviteti kriminal sjell të ardhura të mira financiare dhe sidomos vota në raste fushatash, ajo nuk ka hezituar ta përdorë atë. Mjafton të kujtojmë këtu kanabizimin e vendit apo operacionin e OFL që nuk ishte gjë tjetër veçse një presion mbi botën me të kaluar kriminale për të qëndruar në anën e qeverisë në prag të zgjedhjeve politike të kaluara. Pra kemi një qeverisje që drejton vendin në kufirin e legjitimitetit.

Referuar rastit të fundit, të zhdukjes së Ervis Martinajt, a është normale që policia mos ketë një përgjigje për fatin e tij prej më shumë se një muaji?

Nuk mund të shprehem për një rast konkret pasi nuk e njoh dinamikën. Ndaj as hamendësimin nuk e bëj dot.

Çfarë përshtypje, ju la fakti që pak ditë më parë, zoti Tonin Vocaj sapo u komandua drejtor (për pak dite sa qëndroi) i kërkoi kryeministrit rihapjen e basteve me argumentin se nuk i luftonin dot online?

Deklarimi i drejtuesit të lartë Tonin Vocaj mbetet brenda logjikës së qeverisjes. Në një kohë kur kryeministri kërkon hapjen e basteve, një drejtues i lartë nuk mund të dalë dot kundër. Ai është pjesë e ekzekutivit. Nëse nga rihapja e basteve ndodhin aty këtu krime, është detyra e policisë t’i ndjekë, por rrënjët sociale është qeverisja që duhet t’i presë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit