Thoma Mastora, 69-vjeç, është identifikuar si autori i vrasjes së dyfishtë të çiftit të të moshuarve në Dropull të Gjirokastrës. Kanë qenë ekzaminimet daktiloskopike dhe biologjike ato që kanë zbuluar veprimet e autorit.
Mësohet se 69-vjeçari ka pasur lidhje të ngushta gjatë dy viteve të fundit me dy të moshuarit, ku shpesh herë shkonte për të pirë kafe së bashku.
Ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në orët e vona të drekës ose të pasdites së 30 prillit. Autori ka shkuar në banesën e të moshuarve si përherë për të pirë edhe kafen e ditës me ta.
Gota e rakisë që ishte në tavolinën e ndodhur në oborrin e shtëpisë, ku u gjend i pajetë edhe 84-vjeçari Kosta Ilia, është një ndër gjurmët që çuan në identifikimin e autorit.
Shkaqet mendohet të jenë për motive të dobëta, grindje të çastit. Prej kohësh 88-vjeçarja ankohej te të afërmit e saj se 69-vjeçari i shqetësonte me praninë e tij.
Sipas policisë të moshuarit u gjetën me shenja plage të shkaktuara nga mjet i fortë prerës në kokë dhe në trup. Burime policore pohojnë se arma e krimit është një sëpatë e vogël.
Hetimet hedhin poshtë motivin e grabitjes duke qenë se në banesë nuk u konstatuan shenja të vjedhjes apo të krijohej bindja se autorët mund të kishin ushtruar kontroll me qëllim gjetjen e vlerave monetare apo sende me vlerë që mund të posedoheshin nga viktimat, ndërsa u zbulua nga policia një shumë e konsiderueshme parash, prej 5 milionë lekësh në banesën e të moshuarve.
Thoma Mastora njihej si një njeri problematik në fshat. Ai është dënuar më herët për vjedhje. Për sqarimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve u shoqëruan, u dhe pyetën për rrethanat e hetimit 35 shtetas. U kryen intervista, verifikime, kontrolle dhe eksperiment hetimor.









