Në datë 31 Gusht qeveria shqiptare vendosi që të shkarkonte nga detyra drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit, Gledis Nano.
Një javë më vonë në vendin e tij u emërua Muhamet Rrumbullaku. Thashethemet për largimin e Nanos për prapaskenat ishin të shumta. Por pak ditë më parë ishte vetë Edi Rama që u dha përgjigje pikëpyetjeve dhe dilemave.
“I është kërkuar dorëheqja drejtorit të mëparshëm. Ai ma ka konfirmuar se do ta jepte dorëheqjen ditën e hënë pasi biseda ishte bërë të shtunën nga ministri.
Ishim të shqetësuar nga zhvillime të papëlqyeshme për rendin publik dhe vetë Policinë e Shtetit, çështje që janë trajtuar me drejtorin e përgjithshëm të mëparshëm” tha Rama duke konfirmuar atë që flitej se pasi Nano rezistoi u shkarkua.
Goditja e dytë erdhi ditën e djeshme për zotin Nano. Dalja e e-mail-eve të tij në publik pas hakerimit e ka ekspozuar përballë bandave dhe jo vetëm për komunikimet “sekret” me vartësit he eprorët.
Pyetja është se ku ndodhet sot? Ndryshe nga paraardhësit e tij, që qeveria u ka gjetur një vend duke i sistemuar në Akademinë e Policisë me Nanon nuk ndodhi e njëjta gjë.
I shkarkuar dhe i ekspozuar pas informacioneve sekrete që dolën, Nano e gjen vetën në mes të katër rrugëve.
A është ky kujdesi që shteti duhet të tregojë ndaj ish-zyrtarëve të lartë që deri dje janë përballur me krimin?