Ngjarja e tmerrshme e ditës së diel, e cila tronditi mbarë Shqipërinë nuk ka të bëjë me veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen (neni 290). Ajo është një vrasje me dashje për disa arsye juridike-penale të cilat do të përpiqem t’i sqaroj në këtë koment të shkurtër.
Ngjarja nuk ka ndodhur si pasojë e shkeljeve të normave të Kodit Rrugor si manovrim i gabuar, mungesë e sinjalistikës ose gjendja teknike e mjetit. Në raste të tilla Kodi i ka renditur pasojat si alternative për shkak se mbrohet një marrëdhënie tjetër juridike, jeta ose shëndeti, në një marrëdhënie tjetër juridike, siç është siguria publike. Prandaj këto pasoja (plagosja e rëndë, vdekje) kanë formë fajësie të ndryshme, konkretisht pakujdesi, sepse nuk janë të drejtpërdrejta por të mundshme.
Vetë neni në të katër paragrafët është i konceptuar me formë faji pakujdesinë, e për rrjedhojë rasti në fjalë nuk mund të cilësohet si shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor (pa pasojë në shëndet ose jetë) por nga ana tjetër nuk mund të identifikohet (290) as si dashje e drejtpërdrejtë pasi do klasifikohej detyrimisht si vrasje. Kjo për sa i përket dallimit teorik të veprave penale dhe elementëve te tyre.
Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një vepre tjetër penale, drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt, konkretisht në gjendje të dehur sipas parashikimeve të nenit 291 të Kodit Penal dhe jo thjesht si rezultat i shkeljes administrative, si më sipër. Arsyet përse ligjvënësi e ka përfshirë drejtimin e mjetit në gjendje të dehur edhe në normativën e Kodit Penal, përveç se në Kodin Rrugor, lidhen me rrezikshmërinë e shtuar të këtyre sjelljeve.
Forma e fajësisë është dashje direkte, e cila nuk duhet të identifikohet ose ngatërrohet me “dashjen e paramenduar ose dashjen e motivuar”, mjafton që personi ta parashikojë pasojën dhe të mos bëjë asnjë veprim për ta shmangur ose minimizuar (pas ardhjes së saj) duke lejuar faktin të ndodhë. Dashja në kryerjen e veprës penale jo domosdoshmërisht është arsyeja e kryerjes së veprës penale, shpesh herë ajo konsiston dhe thjesht në shpërfilljen e rregullit ose mundësisë së ardhjes së pasojës.
Pra pa diskutim në kuptim të qëndrimit psikik duhet të konsiderohet dashje e drejtpërdrejtë edhe shpërfillja e rregullave. Kur në qarkullim ose punë shmangien e pasojës e bazon te veprimet ose vigjilenca e viktimës, ose kur shpërfill një rregull, nga i cili mund të vijnë pasoja të rënda dhe formimi intelektiv i personit është në masën që ta kuptojë rrezikun e mundshëm, atëherë jemi përballë dashjes.
Ana subjektive e një vepre penale është e përcaktuar ekskluzivisht vetëm nga ana objektive e cila përfshin sjelljen, vendin, kohën, mënyrën dhe mjetin. Për vendin, zonë e banuar, kohën, në kuptim të orarit dhe qarkullimit, faktit që ka qenë banor i zonës dhe e ka ditur fare mirë qarkullimin e këmbësorëve në rrugë dhe trotuar, është absurde të diskutohet pakujdesia si formë faji dhe vepra penale e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor si cilësim juridik!
Gjithashtu eksperimenti hetimor do të vërtetojë në cilën distancë ka arritur t’i perceptojë viktimat me shqisën e të parit dhe çfarë veprimesh ka kryer për të shmangur pasojën tragjike. A mund të shmangej ajo në atë situatë (drejtim tej normave të lejuara në gjendje të dehur) në një zonë të banuar dhe në orar me qarkullim këmbësorësh? Në çdo fakt penal format e fajësisë nuk qëndrojnë në abstrakt por janë rezultat i veprimeve tona, zhvillimit intelektiv, dijenisë dhe përfytyrimit.
*Pedagog i të Drejtës Penale pranë Departamentit të së Drejtës Penale, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.









