Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtarin e Tiranës, Artan Gjermeni. Ky vendim nga ana e KLGJ-së ka ardhur pas dy kërkesave për dorëheqje nga detyra të dorëzuara gjatë muajve të fundit nga Gjermeni.
Kërkesa e parë u dorëzua prej Gjermenit më 24 maj, por deri në muajin korrik nuk u mor vendim. Më 15 korrik, KLGJ njoftoi se e ndërpreu procedurën e përfundimit të statusit për gjyqtarin Gjermeni, pasi ai u tërhoq nga kërkesa për dorëheqje. Në vijim, më 13 shtator ai dorëzoi një kërkesë të dytë për dorëheqje, e cila u shqyrtua dhe u pranua nga KLGJ brenda javës.
Ndaj Artan Gjermenit nuk ishte zhvilluar deri më sot seanca dëgjimore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkalla e parë e Vettingut, edhe pse kishte më shumë se dy vite që ishte nën verifikim për ligjshmërinë e pasurisë, aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës.
Gjyqtari Gjermeni, me një karrierë të gjatë në drejtësi është një ndër magjistratët më të lakuar në vend, kryesisht për shkak të akuzave të ngritura ndaj tij në vite prej ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e ka akuzuar si anëtar të bandës së Aldo Bares.
Më 22 maj 2007, ish ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali, i propozoi KLD+së shkarkimin e Artan Gjermenit. Gjyqtari shpëtoi për një votë, pasi kërkesa e Rusmalit u rrëzua me 6 vota kundra dhe 5 pro. Gjermeni akuzohej për parregullsi në gjykimin e anëtarëve të bandës së Aldo Bares.
Gjyqtari u bë objekt i medias edhe pasi u raportua i plagosur në vitin 2016. Në janar të atij viti, Gjermeni u paraqit i plagosur në QSUT, ndërsa në makinën e tiju gjetën rreth 20 mijë euro. Gjyqtari tha që ishte prerë me një llamarinë në garazhin e tij, ndërsa për paratë se ishin kursime. Edhe pse të dyja alibitë ishin të dobëta, Gjermeni ia hodhi pa u ndëshkuar.
Artan Gjermeni ka vendosur për dosje të bujshme. Ai ishte pjesë e trupës gjykuese, e cila shpëtoi nga burgimi i përjetshëm Konstandin Xhuvani, i cili vrau 4 persona. Gjermeni ka qenë pjesë e trupës gjykues për çështjen e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili i shpëtoi ndëshkimit ligjor, madje mori mbi 500 mijë USD dëmshpërblim.
Në maj të 2019, voxnews.al shkruan se Gjermeni la të lirë Ervis Martinajn, një nga personat e përfshirë në përplasjen e ndodhur në ish-Bllok, më 4 tetor të vitit 2018, ku mbeti i vrarë Fabjol Gaxha. Në vitin 2018, Gjermani ka marrë pjesë në procesin kur u shpallën të pafajshëm Alma Radovicka, Gazmend dhe Gëzim Radovicka, të akuzuar nga prokuroria për vjedhjen e 2 mijë m2 tokë të disa shtetasve austriakë.
Në 2017, Gjermeni ka qenë pjesë trupës gjykuese që liroi nga qelia Muhamet Licin, i arrestuar si kreu i një grupi kriminal që gjobiste tregtarët e Shkodrës. Në vitin 2016, Artan Gjermeni shpalli të pafajshëm ish-drejtorin e Tatimeve në Tiranë Ismail Muça i akuzuar se në bashkëpunim me 7 persona të tjerë nëpërmjet skemës së mashtrimeve të tatimit mbi vlerën e shtuar kanë përfituar 6 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Artan Gjermeni është akuzuar nga opozita dhe sa i përket çështjes të ashtuquajtur “Babale”. Së fundmi, Artan Gjermeni Artan Gjermeni liroi nga qelia grupin e skandalit të publikimit të pagave dhe të dhënave personale të 694 mijë shqiptarëve./ voxnews.al