Dje ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi së bashku me drejtoreshën e IKMT-së dhe të policisë së Tiranës u shfaqën në rrugën “Myslym Shyri” pranë drejtorisë së policisë ku njoftuan goditjen e radhës.
Bëhej fjalë për një pallat në ndërtim, që sipas ministrit, jo vetëm kishte shtuar katet pa leje por kishte devijuar edhe projektin.
Paraprakisht, pasi është në proces verifikimi mësohet se janë 2700 metër katrorë ndërtim në shkelje të lejes dhënë firmës “Arb Trans 2010”.
Administrator është Shyqyri Maloku dhe ish-ortak deri në vitin 2018 Arben Maloku, ish-administrator i Zall-Herrit. Ky i fundit pak vite më parë kaloi nga LSI te PS-ja.
Deri tani katër janë goditjet në kuadër të ndërtimeve pa leje; pallati i Julian Morinës, katet pa leje të Pëllumb Salillarit, po ashtu “Syri i Tiranës” dhe pallati i Malokut.