Policia ka arrestuar 15 persona deri tani në Tiranë dhe Durrës për disa ngjarje kriminale në vend në vitet e fundit.
Mes të arrestuarve është Ilirjan Feçi, që aktualisht ndodhet në burgun e Peqinit dhe emri i tij ka dalë dhe në dosjen e Nuredin Dumanit.
Në kërkim janë disa persona të tjerë, mes tyre Kevin Zeneli, i njohur si “Suçi”.
Por si u zbuluan?
Rastësisht. Dy net më parë një person u mor peng në autostradën Tiranë-Durrës për disa minuta. Bëhet fjalë për të riun Indrit Beqiri.
Ai tregoi se po udhëtonte me të vëllanë, Gentianin kur i bënë pritë me një makinë. Gjatë debatit, tha se e rrahën dhe më pas e morën peng për disa minuta.
Ai nuk pranoi që të fliste më shumë. Por ngjarja kishte pasur tjetër skenar. Dy vëllezërit me precedent penal në fushën e narkotikëve pas disa tentativave për t’u shmangur në fund pranuan që të flisnin.
Të rinjtë treguan se ishin pjesë e një grupi kriminal që kishte qëllim vrasjen e “Rrumit” të Shijakut, Pëllumb Muharremit. Vëllezërit folën me emra konkretë, ashtu si Nuredin Dumani pak muaj më parë.