Policia e Matit ka shpallur në kërkim tre shtetas pasi i gjetën rreth 3.3 kg kanabis dhe një armë gjahu.
Në njoftim thuhet se në vijim të operacionit të koduar “Stojani”, shërbimet e Policisë kanë marrë informacion se në territorin e fshatit Stojan, disa persona kishin kultivuar bimë narkotike.
Mbi bazën e këtyre informacioneve është ushtruar kontroll i imtësishëm në territorin e fshatit Stojan, ku si rezultat i kontrollit nga forcat e posaçme Operacionale e “Shqiponja”, si dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, është gjetur e paketuar sasia prej 3.3 kg lëndë e dyshuar narkotike canabis sativa, në forma boçeje.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se lënda narkotike e sekuestruar iu përkiste Ndre Tushës 34 vjeç, Nikollin Kolës 31 vjeç, Nikolin Cekës 63 vjeç, të tre banues në Mat, të cilët janë shpallur në kërkim. Gjithashtu në banesën Nikolin Cekës është gjetur një armë gjahu e cila, së bashku me lëndën narkotike, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.









