SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjyq dy persona të akuzuar për korrupsion dhe tentativë për të manipuluar bashkëpunëtorin e drejtësisë, Luftar Reçin. Me akuzat do të përballen në gjyq Gentian Goskova i njohur me pseudonimin (Reqi) dhe i pandehuri Ervis Kosova, që është në kërkim.
Por cfarë ka ndodhur konkretisht?
Dy personat tentuan që përmes familjes të bindin Luftar Reçin që të tërhiqte deponimet kundër Emiljano Shullazit për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame. Por në momentin që nuk Reçi nuk po tërhiqej kaluan te plani “B” helmimi, që sërish dështuan.
Një punonjës i burgut të Drenovës ishte kontaktuar për të futur brenda institucionit helmin që do të hidhej në ushqimin e dëshmitarit Luftar Reçi.
Gentian Goskova dhe Ervis Kosova akuzohen se kanë kërcënuar dëshmitarin e drejtësisë Luftar Reçi dhe më pas kanë tentuar ta vrasin me qëllim për të zhvlerësuar thëniet e tij para prokurorisë.
Ky skenar është dashur të vihet në jetë, gjatë kohës kur Gentian Goskova ose “Reqi i Korçës”, negocionte me familjarë të Luftarit, që ai të tërhiqte dëshminë kundër Emiljano Shullazit, për vrasjen e Vajdin Lames.
Ervis Kosova, konsiderohet njeri i besuar i Shullazit. “Reqi” dhe Kosova, mbanin kontakte me një punonjës të burgut të Drenovës në Korçë, aty ku mbahet bashkëpunëtori i SPAK.
Por punonjësi i burgut, E.P, njëherësh mbante kontakte dhe më prokurorin e SPAK-ut që ndjek çështjen e Shullazit, duke e informuar për çdo situatë dhe bisedë që bënte me dy personat.
Sipas hetimeve, E.P, ka treguar se gjatë një bisede që ka zhvilluar me “Reqin” në datën 28 dhjetor 2021 në zonën përballë “Terminalit të Autobuzave”, ai i ka thënë:”… si mundet ta heqim qafe atë malokun dibran Të japim ty 10 mijë euro parapagim dhe ilaçin dhe më pas 90 mijë euro ti japim kur të mbarosh punë…”.