Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi i kërkoi sot grupit të Enkelejd Alibeajt që përpara se të ulet në tryezën e bisedimeve për bashkimin e së djathtës të tërheqë kërkesën në apel për vulën e partisë. Ai tha se kjo është dëshmi e sinqeritetit të kërkesës për bashkim të demokratëve.
“Ankimimi është anti-ligjor dhe si i tillë një punë e nisur anti-ligjore, vazhdon anti-ligjore. Ne kemi kërkuar, jo kusht, por dëshira për të bashkuar demokratët duhet të konkretizohet me veprime dhe veprimi i tërheqjes së një ankimi jo ligjor duhet të bëhet me këtë dëshirë. Kjo i vendos një pikëpyetje sinqeritetit dhe vështirësisë. Çështja e logos është e rëndësishme brenda frontit. Kandidatët do të kenë logon e frontit” tha Boçi.
Në 3 nëntor Apeli do të vendosë për kërkesën e Alibeajt për vulën e PD-së. Në shkallën e parë gjykata njohu Sali Berishën kryetar të PD-së, por Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të grupit e çoi në apel. Kjo ka shkaktuar një përplasje akoma më të fortë brenda PD-së.