Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se më 13 tetor se diplomacia mund të ofrojë mundësi “për një paqe të drejtë” që do të ndalte gjakderdhjen në luftën në Ukrainë, pavarësisht shumë pengesave, dhe përsëriti ofertën e tij për të ndërmjetësuar bisedimet.
“Qëllimi ynë është të ndihmojmë në ndaljen e gjakderdhjes sa më shpjet që të jetë e mundur, duke mbajtur mementumin, pavarësisht pengesave në terren”, tha Erdogan gjatë një samiti rajonal në Kazakistan.
Lideri turk i bëri këto komente para takimit me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Një paqe e drejtë mund të arrihet përmes diplomacisë”, tha Erdogan para liderëve të mbledhur në Astana në Konferencën për Ndërveprim dhe Masat për Ndërtimin e Besimit në Azi.
Erdogan dhe Putin do të takohen gjatë 13 tetorit për të diskutuar për luftën që Rusia nisi kundër Ukrainës më 24 shkurt.
Turqia, anëtare e NATO-s, ka qëndruar neutrale sa i përket konfliktit në Ukrainë dhe nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Rusisë. Ankaraja po ashtu ka mbajtur raporte të mira si me Kievin, ashtu edhe me Moskën.
Deri më tani, Turqia ka qenë nikoqire e dy takimeve të paqes midis Moskës dhe Kievit, por takimi i fundit i mbajtur në mars nuk ka prodhuar rezultate.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë adresimit para anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, më 13 tetor përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë bisedime me Putinin, duke shtuar se diplomacia me liderët që nuk respektojnë ligjin ndërkombëtar, është e pamundur./REL