Komisioni Evropian ditë më parë u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian një dokument ku rithekson se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Një vlerësim të tillë Komisioni Evropian e ka dhënë edhe në Raportin e Progresit për Kosovën, të publikuar një ditë më parë. KE rithekson se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.
Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave ka folur të mërkurën edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Në konferencën për media pasi pranoi Raportin e progresit, Kurti është shprehur optimist për çështjen e liberalizimit të vizave dhe ka thënë se qeveria e tij e ka përmirësuar imazhin e Kosovës.
“Para tre muajve janë bërë katër vjet prej se Komisioni Evropian për herë të dytë ka rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për qytetarët tanë, për të ja shtuar edhe më tej vlerën Kosovës dhe orientimit të saj është qeveria jonë e cila e ka përmirësuar imazhin e Kosovës, pra edhe ata që kanë qenë skeptik nuk kanë pse të jenë skeptik meqenëse edhe imazhi i Kosovës është përmirësuar dukshëm gjatë vitit 2021-2022.
Prandaj edhe jemi optimist dhe nuk besoj që duhet të përgatitemi tash paraprakisht për skenarë negativ dhe nuk besoj që ka as arsye as logjikë e as plane për kushte të reja, kushtet janë kryer, janë ato 95 dhe ne me optimizëm shikojmë përpara”, ka thënë kryeministri.
E gjatë një raportimi në Komisionin për integrime evropiane, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi bëri të ditur çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë pika e pestë e agjendës në takimin e Grupit punues të Këshillit Evropian, që do të mbahet më 13 tetor./Telegrafi