Policia e Korçës njofton se ka vënë në pranga Martina Pajollarin, e reja e cila dyshohej se kishte një lidhje dashurie me Martin Çeçon, të riun nga fshati Kolanec, i cili u gjet i vdekur pak ditë pas zhdukjes së tij, i vrarë dhe i hedhur në një liqen.
Sipas bluve të Korçës, Pajollari është e dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e Martinit. Policia ka arritur të sigurojë provat e mjaftueshme që vërtetojnë se kjo shtetase ka bashkëpunuar me 3 autorët e arrestuar më herët, Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj. Këta të fundit aktualisht janë duke vuajtur dënimin në burgun e Drenovës.
Martina Pajollari dyshohet se ka qenë vajza e lidhur me viktimën por edhe në një lidhje të dyfishtë me Valter Mollajn, i cili është autori i vrasjes. Tre autorët në bashkëpunim me njëri-tjetrin e kanë dhunuar e më pas hedhur trupin e pajetë në rezervuarin e Kolanecit në Maliq. Trupi i të ndjerit u gjet nga banorët e zonës disa ditë pasi familja e viktimës e denoncoi të humbur.