Zbardhen detaje të reja nga dekonspirimi i operacionit të tre ditëve më parë në Belsh, ku u arrestuan dy persona dhe u zbulua një bazë armatime dhe një shumë e konsiderueshme lekësh.
Në fshatin Dëshiran të Belshit policia shkoi për të arrestuar të shumëkërkuarin Talo Çela, por aty gjetën një arsenal armësh, lekë dhe drogë. I shumëkërkuari ia kishte mbathur.
U arrestuan Aqif Bezati dhe Veli Deliu. Policia kishte vënë nën përgjim Bezatin edhe Deliun nga i njëjti fshat me qëllim kapjen e bisedave me Talo Çelën. Kur nuk u arrit asgjë, policia u nis drejt shtëpisë për ta kontrolluar.
Por një shumë prej 100 mijë paundësh janë larguar nga banesa përpara se policia të mbërrinte aty. Kush e bëri? Dyshohet se sasia e parave është hequr nga një punonjës i policisë.
Kjo do të thotë se operacioni është dekonspiruar dhe Talo Çela mund të jetë larguar në momentet e fundit duke shpëtuar. AMP ka nisur zyrtarisht edhe një procedim penal ndaj punonjësit në fjalë.
Kontrollet në banesën e Bezatit u bënë nga punonjës të policisë së postës, rajoni i policisë që varet nga Komisariati i Policisë Cërrik.
Si përfundim, operacioni u dekonspiruar, Talo Çela shpëtoi dhe bashkë me të edhe 100 mijë paund. Sot gjykata la në burg Bezatin dhe liroi Deliun.