Nesër Edi Rama do të nisë një tur nëpër Shqipëri për të shpjeguar inflacionin dhe shkaqet e krizës.
Gjithçka po bëhet për të bindur qytetarët që sipas qeverisë nuk është faji i saj për krizën e çmimeve.
Por sigurisht që në fokus do të jetë edhe qeverisja e bashkive në prag të zgjedhjeve lokale.
“Kemi bërë një diskutim të frytshëm dhe natyrisht që kemi ndarë edhe detyrat edhe në bazë të këtij aktiviteti.
Nis nesër për t’u shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe për të komunikuar me të gjitha komunitetet, për qeverisjen vendore dhe sfidat e përbashkëta.
Kemi hyrë në një epokë të një kërcënimi të madh botërisht. I takon qeverisë dhe shumicës që të bëjë gjithçka për të lehtësuar peshën e kësaj lufte.
Po finalizojmë buxhetin, që është dyfishi i atij të 2013-ës. Dimrin do ta kapërcejmë pa dhimbje të mëdha” tha ai.
Po opozita? Kryeministri bëri një paralajmërim të fortë për pjesën e dytë të asaj që nuk dihet për lobimin para rubla ruse të PD-së.
“Kur na duhet të përballemi me pasojat e diçkaje që është jashtë nesh dhe vjen edhe tek ne si tërmeti dhe pandemia.
Na duhet të jemi sa më të qartë, të vendosur dhe të bashkuar dhe më të lidhur me partnerë dhe aleatë të fuqishëm.
Do të ishte mirë të kishim një opozitë të rrinte mirë në këtë kontekst, por për fat të keq kemi një opozitë për premton vetëm izolim nga bota dhe është e zhytur në thesin e rublave.
Është fatkeqësi dhe veprimtaria dhe mënyra si vepron mbajnë erë. Ajo që dimë nuk është e gjitha ajo që duhet ditur” tha ai. I pyetur nga gazetarët se çfarë di më shumë, Rama e la enigmë dhe u largua.