Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për RTK2, ka thënë se fillimisht dialogu me Serbinë ishte planifikuar të zgjasë dy vjet, derisa sot po hyjmë në vitin e dymbëdhjetë të këtij procesi.
Ai theksoi se çdo vonesë në arritjen e zgjidhjes përfundimtare e dëmton sigurinë dhe paqen në rajon dhe se Kosova e Serbia, përkatësisht qytetarët e të dyja vendeve do të vuajnë pasojat më të mëdha.
“Vuçiç në takime private para zyrtarëve në Bruksel thotë se e kupton që duhet ta njohë Kosovën, por duhet të përgatitet terreni në Serbi, duhet kohë dhe pastaj në publik thotë se nuk do ta njohë kurrë. Njohja reciproke do të kontribuonte në shfrytëzimin shumë më të mirë të resurseve që ka Kosova dhe Serbia, të cilat ne mund t’i ofrojmë edhe Evropës. Por ajo që ne u përpoqëm të vërtetojmë në Bruksel është se përparimi i Kosovës nuk varet nga vetë njohja. Në fakt, ne kemi dokumentuar gjatë 18 muajve të fundit se në këtë rast njohja dhe normalizimi i kontribuojnë më shumë Serbisë sesa Kosovës”, tha Bislimi.
Ai ka theksuar se Kosova tashmë është demokratizuar dhe e ka rritjen më të madhe ekonomike ndonjëherë në rajon.