SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë arrestuar tre persona për mashtrim në Shqipëri përmes call center në bursë. Pesë janë në kërkim. Nga operacioni janë bllokuar dy call center dhe 60 komputera.
Por si funksiononte skema?
Tre personat e arrestuar kishin krijuar skemën e mashtrimit duke futur në grackë shumë italianë. Hetimet kanë nisur në 2020. Mbi 200 janë viktimat e mashtrimit. 42 mijë telefonata u përgjuan. Një listë me 90 mijë numra u sekuestrua.
Klientëve u propozoheshin aksione në Amazonë kundrejt 250 eurove. Për të mos u zbuluar lehtë, telefonatat përdoruesve italianë
nga call center u bëheshin nga numra angleze. Më pas paratë përfundonin në llogari të ndryshme bankare në Estoni, Qipro, Gjermani, Lituani dhe Holandë.
Por nuk mjaftonte me kaq. Mashtruesit pasi u kishin marrë shumat e konsiderueshme u kërkonin komision për zhbllokimin e llogarisë bankare. Viktimat paguanin “taksën” me shpresën se do rimerrnin paratë e investuara.
Flitet për 10 milionë euro të transferuara nga llogaritë bankare të italianëve drejt Shqipërisë dhe më pas transferoheshin drejt llogarive bankare në shtete të ndryshme.