Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në konferencën vjetore për situatën ekonomike ne vend tha se stimuli monetar rezultoi vendimtar për krizën duke bërë që niveli i inflacionit për tre mujorin e këtij viti të arrijë 8% nivel ky më i larti i regjistruar që prej vitit 1998.
Sejko shtoi se edhe produktet e shportës shfaqin një normë inflacioni mbi objektivin e vendosur nga Banka e Shqipërisë që është 3%.
“Inflacioni shënoi rritje të shpejtë gjatë vitit 2022, duke arritur nivelin 8% në tremujorin e tretë nivel ky më i larti i regjistruar që prej vitit 1998.
Ndonëse inflacioni në Shqipëri paraqitet i ulët, si në kontekstin rajonal dhe në atë europian, duke pasqyruar ecurinë e fortë dhe të qëndrueshme të kursit të këmbimit dhe çmimet e rregulluara të energjisë elektrike për familjet, baza e tij ka ardhur në rritje e zgjerim.
Tashmë, pjesa më e madhe e artikujve të shportës shfaqin një normë inflacioni mbi objektivin tonë prej 3%. Po ashtu, artikujt e shportës me normë të lartë apo në rritje inflacioni nuk janë më vetëm mallra e shërbime me origjinë importi, por edhe produkte, të cilat pjesën më të madhe të vlerës së shtuar e gjenerojnë në vend”, tha Sejko.